Bechtel merr përsipër realizimin e projektit madhor te Skavicës

Bechtel merr përsipër realizimin e projektit madhor te Skavicës

Analizë nga Dr. Lorenc Gordani

Drejtues i Departamentit të Masterit Profesional

Tirana Business University (TBU)

HEC Skavicës; Bechtel; EPC; Korporatën Financiare për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (DFC); kaskadës së Drinit

1. Se pari një shpjegim hyrës mbi marrëveshjen midis KESH-Bechtel?

Me date 5 Korrik 2021 u nënshkrua kontrata e fazës se pare mbi HEC Skavica, mes KESH dhe Bechtel. Nënshkrimi i kontratës së fazës se pare për ndërtimin e HEC-it te Skavices u bë nga Drejtori i KESH, Ergys Verdho për palën shqiptare dhe Andrew Patterson, Drejtues Global i Zhvillimit dhe Manaxhimit te Projekteve të Mëdha për Bechtel Infrastructure.

Sa këtu, erdhi mbeshtetur ne ligjin nr. 38/2021 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe ekzekutimin e kontratës me shoqërinë “Bechtel International, Inc.”, (në vijim Bechtel), për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, miratuar në datën 23 Mars 2021.

Qëllimi i këtij ligji është të autorizojë dhe të përcaktojë procedurën e veçantë për negocimin, ekzekutimin dhe miratimin e kontratës me shoqërinë Bechtel, për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, bazuar në shprehjen e interesit të depozituar në ministrinë për infrastrukturën dhe energjinë nga kompania amerikane.

2. Si u arrit ne konkretizimin e këtij projekti me përmasave historike?

Ne sa këtu, shprehja e interesit paraprak u pranua ne konsiderate të interesit kombëtar dhe thelbësor për Shqipërinë, si dhe nevojave që ka vendi ynë për rritjen e prodhimit të energjisë elektrike, nisur nga reputacioni dhe prestigji i Shoqërisë “Bechtel Internacional”, Inc., e cila angazhohet të japë kontributin e saj në projektimin, ndërtimin dhe sigurimin e financimit për Hidrocentralin e Skavicës.

Sa këtu merr akoma me rendësi, duke konsideruar qe për ndërtimin e këtij hidrocentrali ka pasur disa projekte ndër vite, por ato nuk kanë arritur të vihen në zbatim. Hartimi i këtij projektligji u bë i munduar pas nënshkrimit të dy memorandumeve:

– Ne mënyre specifike, memorandumit të mirëkuptimit për bashkëpunim, lidhur me projektin e HEC Skavicë, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Shoqërisë “Bechtel International Inc.”, nënshkruar më 3 tetor 2020;

– E cila erdhi ne kuadrin me te gjere te memorandumit të bashkëpunimit ekonomik për projektet dhe shkëmbimet tregtare, ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, miratuar me vendimin nr. 785, datë 7 Tetor 2020, të Këshillit të Ministrave.

Sa këtu, tashme është përkthyer ne një ligj qe përcakton strukturën e kontratës me Shoqërinë Bechtel, si dhe procedurat dhe afatet për negocimin dhe miratimin e kontratës dhe për realizimin e projektit.

3. Deri këtu, behet fjale për nënshkrimin e kontratës për fazën e pare. Po cilat janë fazat ne tërësi qe do te kaloj i gjithë procesi i ndërtimit?

Struktura e marrëveshjes se bashkëpunimit me Bechtel-in ndahet në dy faza:

– kontrata e fazës së parë, e cila përfshin aktivitetet paraprake të punës që do t’i mundësojnë Bechtel-it të paraqesë një propozim tek autoriteti kontraktues për kontratën e fazës së dytë dhe të ndihmojë autoritetin kontraktues e Këshillin e Ministrave në sigurimin e mbështetjes financiare për projektin; dhe

– kontrata e fazës së dytë, që konsiston në projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës.

Kontrata e fazës së parë përfshin realizimin e veprimtarive si: matje topografike dhe studime hidrologjike në mbështetje të zhvillimit të projektimit; studime dhe inspektime gjeoteknike në terren; zhvillimin e strategjisë për realizimin e projektit; rishikimin dhe finalizimin e vlerësimit të ndikimit mjedisor e social; përgatitjen e projektit teknik, përfshirë përzgjedhjen e furnitorit të turbinave, me qëllim preventimin e kostove dhe të sasive; dhe shërbime të tjera të dakordësuara për të mundësuar ecurinë e zhvillimit të projektimit të hidrocentralit të Skavicës.

Mbi sa me sipër, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare kryen oponencë për veprimtaritë e fazës së parë të paraqitura nga Bechtel-i vetë dhe/ose me anë të institucioneve përgjegjëse shqiptare.

Për këtë fazë do te jene 18 muaj në dispozicion, të cilat do të shërbejnë për të gjitha ekipet për të bashkëpunuar, koordinuar dhe për të prodhuar materialet. Një kohe pra e rëndësishme qe të dilet me dorëzimin e një produkti të mire, i cili më pas do hapë rrugën për të kaluar në fazën e dytë dhe për të firmosur kontratën e ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës.

4. Konkretisht ku jemi deri me tani lidhur me fazën e pare?

Mbi sa kërkuar, duhet te dihet se kontrata e fazës së parë dhe kontrata e fazës së dytë nënshkruhen nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare në cilësinë e autoritetit kontraktues. Ministria përgjegjëse për infrastrukturën dhe energjinë mbikëqyr gjithë procesin nga firmosja e marrëveshjes deri tek ekzekutimi i saj.

Ne ketë kuadër, procedura e negocimit për finalizimin e kontratës së fazës së parë zhvillohet nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare dhe fillon brenda 5 (pesë) ditëve nga dita kur Bechtel dorëzon pranë Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare propozimin zyrtar për kontratën e fazës së parë, qe është përmbyllur tashme me sukses, pra me nënshkrimin e kontratës KESH-Bechtel me 5 Korrik 2021.

Pra kemi pasur një propozim zyrtar te Bechtel-it te dorëzuar pas hyrjes në fuqi të ligjit 38/2021,. Palët sipas nenit 5 të tij negociuan dhe dakordësuan kushtet e kontratës me Bechtel-in brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga fillimi i negociatave.

Natyrisht, ekzistonte mundësia qe palët nuk mund të finalizonin kontratën e fazës së parë brenda afatit të përcaktuar, dhe negociatat për kontratën do të konsideroheshin të mbyllura, pa asnjë kosto të shkaktuar ndërmjet palëve. Por, ne çdo rast pra arritëm ne rezultatin me te mire te mundshëm me nënshkrimin e marrëveshjes.

5. Cilat janë hapat qe do te ndjekin me tej ne realizimin e kësaj vepre?

Procedura e negocimit për fazën e dytë të kontratës zhvillohet nga Komisioni i Negocimit, i cili krijohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me përfaqësues të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, ministrisë përgjegjëse për infrastrukturën dhe energjinë dhe ministrive të tjera të linjës ose organeve të tjera.

Vendimi i Këshillit të Ministrave do te miratoj krijimin e Komisionit të Negocimit gjatë ekzekutimit të kontratës së fazës së parë, jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë nga ajo e dorëzimit të propozimit zyrtar të Bechtel-it për kontratën e fazës së dytë pranë Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare dhe ministrisë përgjegjëse për infrastrukturën dhe energjinë, propozim ky i cili përfshin programin dhe kalendarin e punëve, si dhe kushtet tregtare të kontratës.

Me tej do te jete Komisioni i Negocimit, i cili fillon punën menjëherë pas hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave për krijimin e tij, qe  përcakton anëtarësinë e Komisionit të Negocimit, kompetencat, objektin e punës dhe procedurën e vendimmarrjes, qe negocion dhe dakordëson kushtet e kontratës me Bechtel-in për fazën e dytë lidhur me projektimin e ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. E gjitha do duhet te vije brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditësh nga krijimi i tij.

E rëndësishme është te theksohet se Anëtarët e Komisionit të Negocimit sigurojnë të gjitha pëlqimet dhe miratimet e brendshme nga ministritë e strukturat përkatëse përpara se drafti përfundimtar i negociuar i kontratës për projektim e ndërtim dhe raporti i negociatave t’i paraqitet autoritetit kontraktues për nënshkrim. Në rast se palët nuk mund të finalizojnë kontratën brenda periudhës së përcaktuar, ose brenda periudhës së zgjatur me dakordësinë e përbashkët, Komisioni i Negocimit përgatit dhe paraqet procesverbalin për ecurinë e negociatave dhe përfundimin e tyre.

Ne sa me sipër, Komisioni i Negocimit të kontratës mund të asistohet nga një konsulent i përzgjedhur nga Avokatura e Shtetit, sipas procedurave të përcaktuara për këtë qëllim për Avokaturën e Shtetit.

6. Nga pikëpamja ligjore, si rregullohet ky proces? Është një projekt qe aprovohet me ligj, dakordësohet nga palët apo tjetër?

Ligji 38/2021 është në përputhje me ligjin nr. 55/2015 “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë“, të ndryshuar, i cili përcakton rregullat për kryerjen e procedurës së veçantë, si një procedurë administrative, me të cilën jepet mbështetje me rregulla të veçanta për investime strategjike me ndikim në ekonomi, me synim lehtësimin dhe përshpejtimin e investimeve.

Për me shume ai mbështet në Memorandumin e Bashkëpunimit Ekonomik me SHBA-në.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë ka informuar qe Shoqëria “Bechtel International Inc” nuk ka aplikuar për marrjen e statusit të investitorit strategjik, pasi ky status nuk i është kërkuar nga pala shqiptare.

Me konkretisht lidhur me nënshkrimi dhe miratimi i kontratës ajo do të hartohet dhe nënshkruhet nga palët: Pala shqiptare përfaqësohet nga KESH, sha, në cilësinë e autoritetit kontraktor. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë mbikëqyr gjithë procesin, nga firmosja, deri tek zbatimi i plotë i kontratës.

Por ne çdo rast, për te dyja fazat pas nënshkrimit, brenda 3 (tri) ditësh pune nga data e finalizimit, Ministria përgjegjëse për infrastrukturën dhe energjinë i paraqet për miratim Këshillit të Ministrave kontratën e nënshkruar lidhur me fazën e parë të projektit brenda 3 (tri) ditësh pune nga nënshkrimi i saj. Data e hyrjes në fuqi të kontratës për fazën e parë të projektit është data e hyrjes në fuqi e vendimit të Këshillit të Ministrave që miraton kontratën.

Në rastin e kontratës për fazën e dytë të projektit, ministria përgjegjëse për infrastrukturën dhe energjinë përgatit dhe dërgon në Këshillin e Ministrave projektligjin për miratimin e kontratës brenda 10 (dhjetë) ditësh pune nga nënshkrimi i saj. Kontrata për fazën e dytë të projektit do te miratohet nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe hyje në fuqi në datën e hyrjes në fuqi të ligjit të miratuar nga Kuvendi.

7. Po nga pikëpamja ekonomike, si është parashikuar financimi i projektit te Skavicës?

Se pari, ligji 38/2021 nuk synon dhënien e një të drejte me koncesion/PPP, por krijimin e hapësirës ligjore të kontraktimit direkt të shoqërisë “Bechtel” për projektimin dhe ndërtimin e HEC-it të Skavicës, në përputhje me kushtet e parashikuara në ligj.

Zbatimi i kontratës për fazën e parë të projektit ka filluar tashme. Produktet e fazës së parë, miratohen nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për infrastrukturën dhe energjinë dhe shpenzimet mbulohen nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare.

Kontrata e fazës së dytë pas miratimit të kontratës me Bechtel-in për projektimin dhe ndërtimin e HEC-it të Skavicës, ministri përgjegjës për infrastrukturën dhe energjinë krijon një njësi të veçantë për zbatimin e këtij projekti. Ministri cakton kryetar dhe anëtarë të njësisë së zbatimit të projektit ekspertë inxhinierë, juristë dhe ekonomistë, që ndjekin zbatimin e kontratës së bashku me Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare.

Bechtel-i mund të caktojë një nga filialet e tij për të nënshkruar kontratën me autoritetin kontraktues, me miratimin e këtij të fundit. Pra “Bechtel” dhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare do te kenë një kontratë e tipit “Engineering, procurement, and construction (EPC)”, ku kjo shoqëri do të marrë masat e nevojshme për projektimin dhe ndërtimin e kësaj vepre.

Për kontratën e dytë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë po bashkëpunon me Korporatën Financiare për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (DFC) dhe me Shoqërinë “Bechtel International Inc.” për sigurimin e financimit të huaj, i cili do jetë në formën e kredisë.

Pra, pronësia do t’i mbetet KESH, por pikërisht fale bashkëpunimi dhe sa realizuar ne fazën e pare nga Bechtel, synohet te mundësoj gjetjen e opsionit te financimin e duhur të projektit, që të jetë i pranueshëm për qeverinë e Republikës së Shqipërisë.

8. Ne mbyllje si e vlerësoni realizimin e projektit te Skavices?

Ndërtimi i HEC Skavicës ka qenë një projekt qe shpesh është konsideruar një ‘ëndërr në sirtar’. Ai është planifikuar shumë dekada me pare pasi qe HEC Skavica është një element i përcaktuar qe në projektin origjinal të kaskadës mbi Drin.

Kështu, dizenjimi dhe ndërtimi i hidrocentralit Skavica ka qenë një qëllim historik para dhe pas viteve ‘90. Megjithatë një projekt i tillë po behet më në fund realitet dhe konkretë falë një seri kombinimesh dhe novacionesh te favorshme si ndërtimi i rrugës së Arbrit, vënia në punë e autostradës së energjisë Shqipëri-Kosovë, ndërlidhjes se fundit me Maqedoninë e Veriut, dhe mbi të gjitha hapjes dhe integrimit të tregut shqiptare të energjisë në atë rajonal dhe pan-evropian.

Në këtë kontekst marrja përsipër e zgjidhjes se financimit nga organizmat e zhvillimit te SHBA zgjidh një çështje thelbësore, e cila njëkohësisht konfirmon qe krahas reformës se hapjes se tregut të energjisë dhe shtysa qe po jepet për funksionalizim e vete tregut te integruar rajonal, duke përshirë tregun tashme te pavarur te energjisë se Kosovës, mbeten prioritete themelore te administratës Amerikane.

Kjo pasi, Skavica është ndryshe nga hidrocentralet e tjerë të kaskadës së Drinit, sepse është hidrocentrali që do të luajë rolin e një rregullatori për hidrocentralet ekzistuese. Pra jo vetëm do të rrisë me rreth 20% prodhimin vendas të energjisë elektrike të prodhuar ne vend, por nga ana patjetër do të optimizojë dhe do të rrisë kapacitetet prodhuese edhe të hidrocentraleve ekzistuese sot në kaskadën e Drinit.

Nder te tjera, vënia e tij ne operim do të ketë rolin e një rregullatori shume vjeçar në Kaskadën e Drinit, siç edhe do te jete një element shumë i rëndësishëm ne minimizimin e përmbytjeve në fushën e Nënshkodrës. Pra, projekti është tejet i rëndësishëm pasi qe i jep fund “derdhjeve kot” të ujit dhe përmbytjeve që më pas vijojnë si rezultat i tyre. Kështu, direkt do te evitojmë edhe te derdhim para në formën e ujit, duke shkaktuar dëme te cilat i kushtojnë po ashtu shtrenjtë buxhetit te shtetit për të rimbursuar por edhe ekonomive private për tu ringritur.

Nder te tjera, projekti realizohet nga kompania Bechtel-i qe punon në të gjithë botën për të përfunduar projekte të jashtëzakonshme, me ndikim pozitiv dhe të qëndrueshëm ne afatgjatë. Një kompani e përkushtuar ndaj standardeve më të larta të cilësisë dhe sigurisë në punë dhe e dalluara për të punuar në mënyrë bashkëpunuese me komunitetet vendase, duke krijuar vende pune dhe rritur mundësitë ekonomike.

Ne fakt, është “profeci e lehte” te thuhet qe ky projekt do te gjej zbatim me shpejtësi, pasi qe, përkundër “vështirësive” të ndryshme që mbeten dhe e kanë shtyrë atë ne kohë, ne ditët e sotme bëhet edhe më strategjik dhe absolutisht i domosdoshëm. E gjitha madje me te vërtet me një ndikim te madh jo vetëm në energjetikë por pa diskutim ne tere ekonominë shqiptare në përgjithësi.

Sa këtu është përgatitur lidhur me intervistën Bechtel merr përsipër realizimin e projektit madhor te Skavices”, dhënë për emisionin “Për të Fol”, drejtuar nga Omer Saraci, pranë Radio Televizionit Scan, më 9 Korrik 2021 si dhe publikuar nga Dr. Lorenc Gordani ne “Bechtel dhe Skavica, ambicia e dyte e madhe shqiptare“, ne Scan Magazine, nr. 89, Korrik 2021, fq. 24-27.

Autori Dr. Lorenc Gordani, PhD është Drejtor i Departamentit të Mastereva në Tirana Business University (TBU), përveç se lektor i ftuar në shumë universitete, përfshirë Universitetin Metropolitan të Tiranës (UMT) dhe Universitetin Barleti (UB), Universitetin e Shkodrës Luigj Gurakuqi, si dhe i angazhuar në shumë projekte, nder te cilat për AFD/Gas Suez, IRENA, Delegacionin Evropian etj.

Shënim: Mendimet e këtu më sipër shprehur i përkasin autorit të tyre. Ndërsa të gjitha përpjekjet janë bërë për të siguruar saktësinë e tyre, sa këtu nuk ka për qëllim të ofrojë këshilla ligjore, pasi që situatat individuale mund të ndryshojnë dhe duhet të diskutohen me një ekspert te kualifikuar. Për çdo këshillë specifike teknike ose ligjore, mbi informacionin e ofruar dhe tema të ngjashme, mund të kontaktoni përmes “lorenc_gordani@albaniaenergy.org”.

Most Read Publications

Most Visit Section

 2,147,483,647 total views,  1 views today

Lini një Përgjigje

This website uses cookies. By continuing to use this site, you accept our use of cookies. 

LinkedIn
Share
Instagram
YouTube
RSS
Follow by Email
Këtë e pëlqejnë %d blogues: