LNG Amerikane dhe Hapja e Epokës së Artë të Gazit Natyror

LNG Amerikane dhe Hapja e Epokës së Artë të Gazit Natyror

MIE; përfaqësues te SHBA; Uashington; Memorandumit të Mirëkuptimit; ExxonMobil; Excelerate Energy; Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë; Woodlands, Texas; Departamenti i Shtetit; Zëvendës Sekretarit të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë; Philip Reeker

Analizë nga Dr. Lorenc Gordani

Drejtor në Tirana Business University – TBU

1. Marrëveshja midis MEI dhe dy gjigantëve globalë energjetik amerikan

Memorandumi i Mirëkuptimit (MOU) u arrit me ExxonMobil LNG Market Development Inc. (ExxonMobil), Excelerate Energy L.P. (Excelerate), dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (Republika e Shqipërisë) në Woodlands, Texas, 12 Mars 2021.

Para së gjithash, në të bihet dakord për kryerjen e një studimi të fizibilitetit kryesisht për zhvillimin e mundshëm të një terminali të gazit të lëngshëm (LNG) në Portin e Vlorës. Për më tepër, nën MoU, parashikohet që Excelerate të eksplorojë potencialin e një zgjidhjeje të integruar LNG e cila përfshin edhe shndërrimin dhe zgjerimin e termocentralit ekzistues të Vlorës, si dhe krijimin e objekteve infrastrukturore për shpërndarjen e LNG në shkallë të vogël në Shqipëri dhe rreth rajonit të Ballkanit.

2. Mbështetja amerikane dhe rëndësia e saj për ekonominë shqiptare

Pa diskutim, vendi duhet të përmirësojë sigurinë dhe qëndrueshmërinë e sektorit të tij të energjisë. Të gjitha vendet e zhvilluara kanë kaluar nëpër zhvillimin e një faze të artë të të gazit natyror, të cilin për fat të mirë po hyjmë me projektin TAP.

Kështu, në këtë kuadër, shoqërimi me një zgjidhje alternative me LNG do të siguronte besueshmëri në rrjetin energjetik të vendit duke plotësuar burimet tradicionale dhe alternative të ripërtëritshme, të tilla si dielli, era, etj. Për më tepër, LNG është mënyra ekonomikisht më e vlefshme për të vëne në punë TEC-in e Vlorës.

Sa më sipër është premisa kryesore që për fat të mirë shoqërohet me vullnetin dhe dëshirën e palës amerikane për të punuar në një partneritet strategjik në zhvillimin e një zgjidhjeje të integruar, të besueshme dhe të përballueshme për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të energjisë dhe të gjithë ekonominë në Shqipëri.

Vullnet i cili u provua më herët në lidhje me nënshkrimin e Marrëveshjes më të rëndësishme ekonomike pas 90, e cila u iniciua me ndërtimin e një projekti të madh hidroenergjitik (siç është HEC Skavica), të cilit tani i shtohet edhe finalizimi i marrëveshjes me ExxonMobile për konvertimin e termocentralit të Vlorës me gaz natyror të lëngshëm amerikan.

Kjo përben një përparësi e re dhe synon të shtojë lidhjeve te forta politike me SH.B.A.-në edhe ne përbërësin ekonomik, me investime të konsiderueshme direkte të SH.B.A.-së, te cilave në këtë rast u shtohet edhe rritja e vëllimeve tregtare direkte.

Kjo është shumë pozitive sepse asnjëherë nuk është arritur që marrëdhëniet shqiptaro-amerikane të ngrihen në një nivel kaq të lartë të politikave ekonomike dhe me rezultate të rëndësishme në një periudhë kaq të shkurtër.

Zhvillimet që, natyrisht, nuk mund të gjejnë ndonjë shpjegim tjetër përveç në shprehjen e bindjes se mbështetja e pakushtëzuar për vendin në fushën ekonomike është thelbësore për përmbushjen e reformave transformuese që po zhvillohen aktualisht në Shqipëri.

3. Rëndësia e përfshirjes së dy supergjigandëve amerikanë?

Përveç rëndësisë politike, ajo sheh përfshirjen e dy gjigantëve globalë të energjisë si ExxonMobil dhe Excelerate Energy L.P.

ExxonMobil, i njohur zyrtarisht si Exxon Mobil Corporation, është një korporatë amerikane shumëkombëshe e naftës dhe gazit me seli në Irving, Texas. Ajo është pasardhësi më i rëndësishëm i drejtpërdrejtë i John D. Rockefeller’s Standard Oil dhe u formua më 30 nëntor 1999 nga bashkimi i Exxon (ish-Standard Oil Company of New Jersey) dhe Mobil (ish-Standard Oil Company of New York).

ExxonMobil aktualisht është një nga kompanitë më të mëdha të naftës në botë (pjesë e grupit të mirënjohur prej 7 kompanive Big Oil). Në vitin 2008, ajo përbënte afërsisht 3% të prodhimit botëror, duke e bërë atë një nga kompanitë më të mëdha në botë për sa i përket të ardhurave. Me 37 rafineri nafte në 21 vende me një kapacitet të kombinuar ditor rafinimi prej 6.3 milion fuçi.

Excelerate Energy L.P. është një kompani LNG me bazë në SHBA e vendosur në Woodlands, Texas. Ajo konsiderohet si pioner dhe udhëheqës i tregut në zgjidhjet inovative të LNG-së, duke ofruar shërbime të integruara në të gjithë zinxhirin e vlerës së LNG-së. Në veçanti, ajo ofron një gamë të plotë të shërbimeve të rishpërndarjes përmes terminaleve lundrues të njohur si FSRU, në zhvillimin e infrastrukturës, deri në furnizimin e LNG.

4. Roli i secilës kompani dhe afatet për realizimin e projektit?

Siç dihet, LNG synon të sjellë energji nga burime të besueshme, të përballueshme dhe më të pastra në rajon dhe do të plotësojë (mbështesë) prodhimin e energjisë elektrike bazuar në hidrocentrale në Shqipëri.

Së pari, Excelerate si një lider në zgjidhjet lundruese të riklasifikimit të LNG do të drejtojë projektin e terminalit, siç ka bërë në tregjet anembanë globit, duke zhvilluar dhe operuar 13 terminale LNG në të gjithë botën.

Më tej ExxonMobil, një nga prodhuesit më të mëdhenj të gazit natyror në SH.B.A. dhe një prodhues i madh i LNG në të gjithë botën, do të drejtojë projektin për të identifikuar mundësitë (d.m.th. të arrijë diversifikimin) për të mbështetur furnizimin e LNG në Shqipëri.

Raporti i para-fizibilitetit pritet të paraqitet në TM 3 2021, ndërsa fillimi i synuar për projektin e importit të LNG mund të jetë që në 2023. Pra, në jo më shumë se dy vjet, pritet të arrijë te konsumatori LNG e SHBA.

5. Mbështetja e Uashingtonit dhe kontributi i autoriteteve amerikane në Tiranë

Marrëveshja e mësipërme u pasua drejtpërdrejt nga një letër nga Zëvendës Sekretari Reeker, i cili shprehu vlerësimin dhe mbështetjen maksimale të administratës aktuale. Sa këtu, natyrisht, është një rikonfirmim i projekteve të tjera që po shkojnë paralelisht (HEC Skavica, por jo vetëm, nëse i konsiderojmë ato në infrastrukturë në kuptimin e gjerë).

Letra shpreh se ky projekt i fundit hap një faqe të re në historinë e energjisë shqiptare dhe forcon më tej marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ajo korrespondon, ndër të tjera, me rastin e kremtimit të 30 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike (15 mars 1991).

Një marrëdhënie qe ka pare nder vite punën intensive nga krerët e Ambasadës Amerikane në Tiranë. Aktivitet i gjerë që në veçanti ne kete rast ka parë edhe përkushtimin dhe mbështetjen unike nga Ambasadorja aktuale e Sh.B.A. znj. Yuri Kim.

Së bashku me rastin e parë të drejtpërdrejtë, takimi i Forumit Ekonomik të Tiranës (edicioni i tretë), u bë publik edhe ky projekt. Në të Ambasadori Yuri Kim shprehu kënaqësinë që Shtetet e Bashkuara po shohin Shqipërinë duke punuar me SH.B.A. dhe kompanitë Evropiane për të zgjeruar prodhimin dhe diversifikuar burimet e saj të energjisë, përfshirë gazin e lëngshëm natyror.

Ne po shohim një arkitekturë të re të energjisë që po shfaqet në rajon dhe projekte të ndryshme në zhvillim – nga Skavica në Vlorë – qe do të pozicionojnë Shqipërinë për të zgjidhur sfidat e energjisë dhe çështjet e ndryshimit të klimës, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Ballkanin Perëndimor dhe BE” – tha ndër të tjera ambasadori Yuri Kim.

6. Përgatitjet e kornizës ligjore për zhvillimin e HEC-it Skavica?

Këshilli i Ministrave i ka paraqitur Kuvendit një projektligj, i cili synon të miratojë një procedurë të veçantë për negocimin dhe ekzekutimin e kontratës me kompaninë “Bechtel Internacional”, Inc., për të hartuar dhe ndërtuar hidrocentralin Skavica. Hartimi i këtij projektligji ndjek memorandumin e mirëkuptimit midis Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kësaj kompanie, të nënshkruar në 3 Tetor 2020 gjatë vizitës së Nënsekretarit të Shtetit të SH.B.A.-së për Zhvillimin Ekonomik, Energjisë dhe Mjedisit, Keith Krach.

Ndërkohë, sipas projektligjit, kontrata do të ndahet në dy faza. Kontrata e fazës së parë do të përfshijë aktivitete paraprake të punës që do të lejojnë Bechtel të paraqesë një propozim tek Autoriteti Kontraktues për projektin dhe ndërtimin e këtij hidrocentrali dhe të ndihmojë ministrinë dhe qeverinë shqiptare në sigurimin e mbështetjes financiare për projektin. Ndërkohë, kontrata e fazës së dytë konsiston në projektin dhe ndërtimin e hidrocentralit Skavica.

7. Opsionet e pritshme nga studimet e me hershme mbi ketë projekt?

Natyrisht siç dihet HEC Skavica është pjesë e Kaskadës së Drinit qe nga projektimi i saj fillestar nga vitet 60. Përveç se edhe rreth dy vite me pare janë zhvilluar studime te fizibilitetit, te cilat kane rezultuar me vënien në tavolinë të 2 varianteve, që parashikojnë madhësi të ndryshme të veprës.

Alternativa A parashikon një HEC me fuqi të instaluar prej 120 MW dhe me kosto prej 308 mln euro, nga të cilat rreth 250 mln euro do të shkojnë për ndërtimin e hidrocentralit dhe rreth 50 mln euro të tjera shkojnë për shpronësime dhe ndërtime të tjera infrastrukturore.

Ndërkaq, sa i takon alternativës B, parashikohet ndërtimi i një HEC-i me fuqi të instaluar 210 MW, ndërsa kosto e kësaj alternative është 510 mln euro. Më konkretisht, rreth 350 mln euro shkon ndërtimi i veprës dhe rreth 150 mln euro është llogaritur kosto e shpronësimeve dhe infrastrukturës.

Megjithatë ne ditët e sotme projektet duhet te raportohen ne vazhdimësi me zhvillimet e tregut te referencës dhe një projekt si ky imponon bërjen e tyre pikërisht ne varësi te atij qe do jete porositësi i tij, specifikat, nevojat dhe kapacitet e tij. Kujtoj qe tashme nuk është problem prodhimi (edhe se mund të ngjaje kundersens, pasi kjo është e para, por atë mund deri diku ta bej kushdo) dhe thelbi apo qendra e rëndesës qëndron tek menaxhimi i projektit.

8. Memorandum Bashkëpunimi për Projektin e Depozitimit Nëntokësor të Gazit Natyror në Zonën e Dumresë

Zhvillimi i rrjetit të transmetimit të gazit është një nga objektivat strategjikë të Qeverisë Shqiptare, brenda të cilit është miratuar Master Plani Kombëtar për gazifikimin e vendit, pjesë e së cilës është edhe projekti i Ruajtjes së Gazit Natyror nëntokësor në zonën e Dumresë. Në këtë kontekst, një memorandum bashkëpunimi për Projektin nëntokësor të Ruajtjes së Gazit Natyror në zonën e Dumresë u nënshkrua në 3 Mars 2021 nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku me përfaqësuesen e ndërmarrjes italiane SNAM, Alessandra Pasini.

Projekti nëntokësor i ruajtjes së gazit natyror i miratuar në mbledhjen e Komitetit Kombëtar të Investimeve më 30 korrik 2018 me qellim qe të kontribuojë në rritjen e sigurisë energjetike të vendit tonë, por edhe në një plan më të gjerë rajonal. Aktualisht, përmes aktivitetit të asistencës teknike në infrastrukturë të financuar nga Kuadri i Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), me fonde të BERZH-it, në prill të vitit 2020, filloi puna për zbatimin dhe ekzekutimin e projektit WB20-ALB-ENE-01 Shqipëri, për studimi i fizibilitetit dhe vlerësimi i ndikimit mjedisor dhe social të depozitimit të gazit natyror në tokë në zonën e Dumrea.

Në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar me gjigantin italian dhe Evropian të gazit, zhvillimi i këtij projekti parashikohet të shtrihet në dy faza. Faza e parë konsiston në zhvillimin e një strukture magazinimi, e cila mundëson kapacitetet e depozitimit të gazit për të mbuluar kërkesën në vend, përmes krijimit të dy vendeve të magazinimit me një kapacitet prej 230 milion m3 gaz dhe një vlerë investimi prej rreth 78 milion euro. Ndërkohë, faza e dytë zgjeron kapacitetet e magazinimit duke i dhënë asaj një karakter rajonal. Në këtë fazë investimi arrin në 150 milion euro dhe kapacitetet e magazinimit arrijnë 800 milion m3 gaz.

Bashkëpunimi me SNAM është thelbësor për të zbatuar këtë projekt me një shprehje të cilësisë dhe standardeve më të larta ndërkombëtare të industrisë, si dhe garanci për zhvillimin e sigurt të sektorit të gazit në Shqipëri. Ai do të sanksionojë gjithashtu një arritje tjetër në drejtim të bashkëpunimit dypalësh, jo vetëm midis strukturave të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe SNAM, por midis Shqipërisë dhe Italisë, dy partnerë strategjikë ne afatgjatë. Për më tepër, ai është një tjetër mbështetje politike e Italisë në fushën e tranzicionit të energjisë për Shqipërinë.

Faleminderit që ishit me ne sot dhe për informacionin që ndatë me shikuesit tanë!

Ju falënderoj unë për mundësinë për të dhënë këtë panoramë mbi gazin natyror, ku përkundër nevojës për të mbajtur sintetikë brenda kohës së dhënë, shpresoj të ketë qenë një përmbledhje e dobishme. Gjithashtu shpresoj se radhës se ardhshme të diskutojmë mbi fillimin e punës në fusha të tjera që plotësojnë sektorin e energjisë si biomasa, biokarburantet dhe pse jo do të kemi mundësinë të përcjellim lajmet pozitive lidhur mbi projektet që po zhvillohen aktualisht në lidhje me ekonominë e hidrogjenit për tregun shqiptar te energjisë.

Për më shumë, mund të gjendet në intervistën “LNG Amerikane dhe Hapja e Epokës së Artë të Gazit Natyror”, dhënë për emisionin “Për të Fol”, drejtuar nga Omer Saraci, pranë Radio Televizionit Scan, më 16 Mars 2021.

Autori Dr. Lorenc Gordani, PhD është Drejtor i Departamentit të Mastereva në Tirana Business University (TBU), përveç se lektor i ftuar në shumë universitete, përfshirë Universitetin Metropolitan të Tiranës (UMT) dhe Universitetin Barleti (UB), Universitetin e Shkodrës Luigj Gurakuqi, si dhe i angazhuar në shumë projekte, nder te cilat për AFD/Gas Suez, IRENA, Delegacionin Evropian etj.

Shënim: Mendimet e këtu më sipër shprehur i përkasin autorit të tyre. Ndërsa të gjitha përpjekjet janë bërë për të siguruar saktësinë e tyre, sa këtu nuk ka për qëllim të ofrojë këshilla ligjore, pasi që situatat individuale mund të ndryshojnë dhe duhet të diskutohen me një ekspert te kualifikuar. Për çdo këshillë specifike teknike ose ligjore, mbi informacionin e ofruar dhe tema të ngjashme, mund të kontaktoni përmes “lorenc_gordani@albaniaenergy.org”.

Most Read Publications

Most Visit Section

 2,147,483,647 total views,  1 views today

Lini një Përgjigje

This website uses cookies. By continuing to use this site, you accept our use of cookies. 

LinkedIn
Share
Instagram
YouTube
RSS
Follow by Email
Këtë e pëlqejnë %d blogues: