Shqipëri-Kosovë, hapet rruga për bashkëpunimin energjetik nga Lorenc Gordani

Shqipëri-Kosovë, hapet rruga për bashkëpunimin energjetik

Analizë nga Dr. Lorenc Gordani

Pedagog në Tirana Business University – TBU

Shqipëri-Kosovë; bashkëpunimin energjetik; kriza e Covid 19; Operatorët e Transmetimit të Evropës Kontinentale; Republika e Kosovës; zonë rregulluese e pavarur; Bllokut Rregullues; autostrada energjetike; linjës së interkonjeksionit; OST dhe KOSTT; sistemit elektro-energjitik; optimizuar kostot.

Shqipëri-Kosovë, hapet rruga për bashkëpunimin energjetik – Intervistë me Dr. Lorenc Gordani, ekspert ligjor për çështjet e energjisë – SCAN MAGAZINE

Zhvillimet më të fundit globale, përfshirë këtu edhe kriza aktuale e Covid 19, treguan qartazi edhe një here brishtësinë e ekonomive që ndërvaren në mase të madhe nga burimet e jashtme. Natyrisht një ndërvarësi e tille sot është deri diku e paevitueshme por në çdo rast ajo mund të minimizohet me një planifikim më të mirë e në kohë të gjatë të resurseve të pakta të çdo vendi bazuar pikërisht në veçantitë e tij.

Pavarësisht situatës së krijuar nga COVID-19, Operatorët e Transmetimit të Evropës Kontinentale miratuan me 20 Prill 2020 vendimin që parashikon lidhjen e Operatorit të Transmetimit të Kosovës me Operatoret e Transmetimit të Evropës Kontinentale me efekte nga data 14 Maj 2020. Ky vendim bën që tashmë Republika e Kosovës të kontrollojë kufijtë e vet energjetikë dhe të operojë si zonë rregulluese e pavarur brenda Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri.

Kjo i jep dritën jeshile vendosjes në punë të “autostradës energjetike” d.m.th. linjës së interkonjeksionit 400 kV Shqipëri-Kosovë dhe për hyrjes në fuqi të të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara mes OST dhe KOSTT duke rritur direkt sigurinë e sistemit elektro-energjitik, madje duke optimizuar kostot. Të gjithë ndikimet e këtij zhvillimi të rëndësishëm energjetik rajonal i sqaron në intervistën e tij në vijim Dr. Lorenc Gordani, ekspert ligjor për çështjet e energjisë, njohës i mire i politikave strategjike energjetike dhe pedagog ne fushën e se drejtës publike dhe te biznesit pranë Tirana Business University – TBU.

Çfarë nënkupton kjo marrëveshje për tregun tonë të energjisë por edhe më gjerë?

Marrëveshja midis KOSTT dhe ENTSO-E që hyn në fuqi në datën 14 Maj 2020, e cila njeh Operatorin e Transmetimit të Kosovës në operimin si zonë e pavarur kontrolli. Pra bën që Republika e Kosovës të kontrollojë kufijtë e vet energjetikë, duke dalë përfundimisht nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut), dhe duke iu bashkuar Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri.

Në terma të thjeshtë Kosova ka fituar përfundimisht pavarësinë energjetike dhe bëhet pjesë e një grupi të veçantë me Shqipërinë. Në terma praktike, Serbia nuk mund të vendosë më për energjinë elektrike që kalon përmes rrjetit në territorin e Republikës së Kosovës. Në kuptimin politik, është vendosur sovraniteti kosovar në sistemin e energjisë elektrike. Ky zhvillim hap rrugën që KOSTT-it të marrë pjesë në bursën shqiptare të energjisë (APEX) dhe të integrohet në tregun rajonal të energjisë.

Pra tani është ligjëruar bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë në tregun e energjisë elektrike, për të cilin po flitet prej kohësh?

Njohja e KOSTT dhe operimi si zonë e pavarur kontrolli hap një epokë të re bashkëpunimi në sektorin energjetik në mes dy shteteve. Hapi i radhës do te jete vënia në operim të linjës se Interkonjeksionit 400 kV Shqipëri-Kosovë, një vepër elektroenergjetike dhe aset i çmuar që ka përfunduar ndërtimin në vitin 2016. Për analogji me rrugët, energjia elektrike midis Shqipërisë dhe Kosovës do të qarkullojë në një autostradë katër ose gjashtë korsi në vend të rrugës me dy korsi, diku të shtruar dhe diku jo. Po ashtu do te ndiqet me hyrjen në fuqi e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet OST dhe KOSTT duke rritur sigurinë e operimit të sistemit elektronergjetik dhe optimizimin e burimeve të përbashkëta. Kjo pasi nxit optimizimit e përdorimit të energjisë balancuese. Pra direkt do te kemi rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe krijimi i lehtësirave për tregtaret e energjisë elektrike për të kryer transaksione në kufirin Shqipëri- Kosovë. Po ashtu i hapet rrugë edhe një bashkërendimi praktik në optimizimin e sistemeve energjetike. Marrëveshja e muajit dhjetor 2019, midis Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë e nënshkruar në Tiranë është një marrëveshje për themelimin e bllokut rregullues të sistemeve energjetike Kosovë-Shqipëri, e cila do të fillojë së zbatuari në maj 2020.

Si u arrit kjo marrëveshje aq e vlefshme për sistemet tona energjetike?

Arritja e kësaj marrëveshje përbën një ngjarje te jashtezonshme: pas Rrugës së Kombit, “autostrada” energjetike është cilësuar si investimi më madhor që lidh dy vendet: Shqipëri-Kosovë. Natyrisht, nisur nga rëndësia e saj ajo ka ardhur nëpërmjet një procesi të gjatë dhe përfshirje direkt të vendeve partnere me në krye Gjermaninë dhe SHBA dhe vendet tjera mike. Për shembull procesi i votimit për dhënien e së drejtës dhe pavarësi Kosovës për nënshkrimin e marrëveshjes së lidhjes së KOSTT me Operatorët e Transmetimit të Europës Kontinentale, është rezultati i votimit pranë Grupit Regjional te Evropës Kontinentale me 22 vota pro, 4 abstenim dhe 3 kundra (Spanja, Bosnje-Hercegovina dhe Sllovakia). Në fakt është një ditë e gëzueshme për gjithë pasi që hapet një epokë e re jo vetëm për Kosovën por edhe për një bashkëpunim shumë efektiv midis sistemeve tona energjetike për të hartuar projekte tona të përbashkëta për të pasur një vizion të përbashkët në të ardhmen.

Pra duket se është një çështje e ndjekur nga BE ku edhe roli i SHBA-së mbetet i rëndësishëm?

Së pari marrëveshja është kontribut i Shërbimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të dialogut të Brukselit për normalizimin, pasi Marrëveshja për Normalizimin e Rrjeteve të Energjisë u nënshkrua në vitin 2015 midis delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë. Pas asaj marrëveshje ndërhyri Gjermania e cila investoi 75 milion euro për lidhje të shpejtë (400kv ndërlidhje) dhe 100 milion euro në KOSTT. Kjo ishte pjesë e nxitjes së zhvillimit ekonomik në rajon, por edhe për stabilizimin e rrjetit evropian të energjisë. Ndërsa nga ana tjetër siç dihet në momentin aktual kemi një aksion energjik të administratës amerikane të presidentit Trump nëpërmjet ambasadorit Grenell. Kështu që unë mendoj se ndonëse, vendet e ndryshme bazojnë politikat e tyre mbi peshat e tyre specifike, të gjitha palët po ndikojnë pozitivisht për Kosovën.

A mund të themi se më në fund “i kemi duart e lira” për të vepruar?

Zhvillime të tilla janë paraprirë nga një punë shumëvjeçare. Fakti është se vitet e fundit janë parë bllokime të shumë projekteve energjetike në Ballkan. Por gjërat tani kanë ndryshuar përfundimisht. Ne në Shqipëri po e presim prej kohësh dhe kemi vepruar në këtë drejtim. Në vitin 2019 u mbyllën disa projekte në fushën e energjisë, duke arritur shifrën rekord të investimeve me mbi 1 miliard euro. Në 2020 kanë nisur projekte dhe ka mundësi te reja për sipërmarrjen në sektorin e energjisë. Pas krizës së COVID-19, ne duhet ta kemi të qartë se energjetika mund të jetë një nga rrugët e zgjuara për rimëkëmbjen ekonomike. Kjo sepse edhe resurset i kemi me bollëk. Kjo qasje bëhet me aktivizimin e sa më shumë linjave të kreditit, të vëna në dispozicion nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe bankat e huaja dhe ata të vendit.

Në mbyllje, a do të sjellin ndikim në çmimet e energjisë elektrike edhe tronditjet e fundit në çmimet e tregut të hidrokarbureve?

Është e vërtet kohet e fundit ka një furi diskutimesh për çmimet e naftës. Por diçka e tille është tepër normale dhe verifikohet dendur për çmimin e energjisë elektrike. Megjithatë duhet te shkojmë me radhe të shpjegojmë procesin, ngjashmërinë, dhe efekte për konsumatorin final. Së pari, sa më sipër lidhur me hidrokarburet është normale dhe shpjegohet me faktin e thjeshte se kapaciteti depozitues për naftën është i kufizuar, sepse sot kemi një ulje të kërkesës ne mënyre të papritur. Kompanitë e nxjerrjes së naftës nuk mund të mbushin magazinat me barela, sepse nuk kanë ku të depozitojnë sasitë e nxjerra nga nëntoka, kështu që e shesin vetëm për të liruar kapacitet depozitues. Ndërsa, lidhur me atë pse çmimi tek ne nuk ndryshon, së pari duhet thëne që çmimi i naftës që i referohet tregu shqiptar nuk ka lidhje me çmimin e barelës në tregun amerikan. Ne punojmë me Platz e Mesdheut, ku kuotohet nafta e përpunuar. Ky çmim nuk ka qene asnjëherë zero, pasi po të ishte i tille sigurisht rafineritë nuk kane pse të përpunojnë naftë bruto kur tregu nuk e tërheq.

Ndërkohë sa i takon lidhjes së karburanteve me energjinë elektrike, natyrisht që diçka e tillë mund të ndodhë edhe për energjinë elektrike dhe ndodh shpesh në bursat e energjisë të Gjermanisë dhe Evropës veri-perëndimore. Edhe ne që kemi të njëjtin legjislacion e kemi parashikuar diçka të tillë. Në ketë sektor përveç mundësive akoma më të kufizuara të depozitimit, thelbësore janë kapacitet e kufizuara të rrjeteve, dhe Shqipëria duke qene se ka prodhim hidro ka mundësinë më të mirë të përfitojë kur të kemi bursë (shpresoj së afërmi) për të shitur kur çmimi arrin kulmin dhe blerë kur ai bie.

Eri Saraçi/SCAN MAGAZINE

* Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shënim: Mendimet e këtu më sipër shprehur i përkasin autorit të tyre. Ndërsa të gjitha përpjekjet janë bërë për të siguruar saktësinë e tyre, sa këtu nuk ka për qëllim të ofrojë këshilla ligjore, pasi që situatat individuale mund të ndryshojnë dhe duhet të diskutohen me një ekspert. Për çdo këshillë specifike teknike ose ligjore, mbi informacionin e ofruar dhe tema të ngjashme, mund të kontaktoni përmes “lorenc_gordani@albaniaenergy.org”.

Most Read Publications

Most Visit Section

 2,147,483,647 total views,  1 views today

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: