A i rrisin investimet kontratat BOO?

A i rrisin investimet kontratat BOO?  Investitorët e HEC-eve dhe ekspertët skeptikë: Nuk janë pengesa kryesore

për të që në këtë dhe duhet të

Ola Mitre/SCAN Magazine

22/04/2018

Pavarësisht se të dhënat tregojnë se ndërtimi i hidorecentraleve të vegjël nuk kontribuon në mënyrë domethënëse në rritjen e portofolit të prodhimit të energjisë, qeveria shqiptare është e vendosur në politikën e saj në ndërtimin e  HEC-eve si një mënyrë për prodhimin e energjisë. Në këtë kuadër, një nga alternativat që është duke u shqyrtuar së fundmi, me qëllim rritjen e investimeve në këtë fushë është nënshkrimi i kontratave BOO çka do të thotë se pas ndërtimit dhe operimit nga ana e koncesionarit, do të kalohet në pronësi dhe jo në transferim sikurse parashikohet aktualisht. Politika e re u bë me dije nga vetë ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri gjatë një tryeze mbi energjinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm, në fund të muajit shkurt.

“Ne po punojmë atë që e kemi bërë pjesë të programit qeveritar, që edhe këto kontrata nga BOT të shkojnë në një model BOO, sepse qeveria shqiptare nuk është se ka ndërmend që të marrë mbrapsht gjithë ato hidrocentrale, të cilat në fundin e jetës së tyre të jenë të amortizuara. Ne duam që të krijojmë më shumë garanci për investitorët privatë, për t’i gëzuar në terma afatgjatë të gjitha këto investime dhe risqe të marra. Kuptohet në bazë të një formule kompensimi, që natyrshëm do të jetë jashtëzakonisht e pranueshme dhe nuk do të rëndojë fare mbi investitorët privatë, nëse ata do të pranojnë të hyjnë në këtë skemë,” u shpreh Gjiknuri. Por, kjo ka qenë deklarata e vetme në këtë drejtim, pa dhënë informacione të mëtejshme mbi detajet apo mbi formulën e kompensimit për të cilën foli ministri. Po ashtu, nuk janë bërë publike se çfarë ndikimi do ketë kjo në tarifën e blerjes së energjisë, detyrimet për të riinvestuar apo rruga që do të ndiqet: ndërhyrje ligjore apo rishikim kontrate indivuale (një me një). Edhe vetë investitorët aktualë, thonë se nuk janë informuar mbi këto ndryshime të mundshme apo termat konkretë që do të përdoren apo mendohet të përdoren nga qeveria. “E thënë në mënyrë të përgjithshme është një lajm pozitiv për ne, megjithatë ne jemi ende në fillimet  e kontratave të koncesionit. Shumicës së investitorëve aktualë, u duhen edhe 30 vjet për të përfunduar kontratat aktuale. Është diçka e hershme dhe ne duhet të dimë detaje për këtë, por mendoj se kjo është një nga strategjitë e ministrisë dhe ne do të kemi një mënyrë për ta biseduar me këtë dikaster”,-thotë Anita Shushku, drejtore bordi e Shoqatës Shqiptare të Energjive të Rinovueshme, një organizatë që përfaqëson prodhuesit e energjisë së rinovueshme, kryesisht asaj të prodhuar nga hidro, që operojnë nëpërmjet koncesioneve në Shqipëri. Sipas Shushkut, padyshim që kjo politikë rrit investimet në këtë sektor, por ajo kërkon që vëmendja të fokusohet tek investimet që tashmë janë kryer. “Mendoj se kjo politikë nxit më tepër investime. Me legjislacionin aktual, pas 35 vitesh ne kemi të drejtë të zgjatim kohën e koncesionit dhe nëse je në pronësi, të paktën nga ana burokratike ne nuk do të marrim pjesë në një tender tjetër, por gjithsesi duhen parë detajet se çfarë përfshin e gjithë paketa. Praktikisht, kalimi nga kontrata BOT në BOO do të ishte një nga përmirësimet që mund t’i bëhen legjislacionit dhe do të ishte në favor të investimeve të kryera deri më tani sepse ne e kemi thënë disa herë që shumica e prodhuesve, që janë pjesë e shoqatës tonë janë pionerët, janë ata që morën riskun të parët dhe kjo pjesë duhet patur gjithmonë parasysh sepse gjithmonë janë këta prodhues që morën riskun për të investuar në një fushë që ishte pothuajse e pashkelur dhe kur legjislacioni ishte shumë i vagët. Faktet treguan që kemi patur mjaft vështirësi gjatë viteve të para të prodhimit dhe të investimit, por besoj që kjo do të kihet parasysh dhe ne po mundohemi që të përmirësojmë kushtet e operimit dhe investimit në këtë sektor”,-shprehet Shushku.

Ekspertët: Kalimi në BOO nuk është prioritet

Ndërkaq, sipas ekspertit të sektorit energjetik, Lorenc Gordani në kushtet aktuale të tregut energjetik, çdo qeveri padyshim që duhet të vazhdojë edhe më tej të inkurajojë investitorët, veçanërisht me kapital të huaj për të hyrë në sektorin e prodhimit të energjisë. “Deri në vitin 2030, kërkesa për energji elektrike bazuar në skenarin bazë të ERE-s me një normë rritjeje prej 1.5%, apo studimin rajonal “SLED EJL 2016” deri në 3%, parashikohet të kalojë nga 7.1 TWh respektivisht në 10.8 deri në 13 TWh. Një rritje që e bën të domosdoshme ndërtimin e centraleve të reja gjeneruese. Kontribut që pritet të vijë nga burimet me kosto më të ulët. Në këtë kuadër, pjesën kryesore me siguri do e përbëjnë ato hidroelektrike, duke përfituar prej një potenciali me fluks mesatar 1,245 m3/s nga një lartësi mesatare prej 700m me përmbi 40 miliardë m3 ujë në vit. Faktorë që kanë shtyrë dhe do të vazhdojnë të tërheqin shumë kompani vendase dhe të huaja me reputacion të lartë ndërkombëtar, të interesuara për të investuar në sektorin hidroenergjetik”,-shprehet Gordani.

Por, sipas tij është i diskutueshëm se përse pikërisht tani lind e domosdoshme zbatimi i një politike të kalimit nga kontratat BOT në BOO, në një kohë që investitorët aktualë kanë probleme më emergjente për t’u zgjidhur sikurse është edhe çmimi i blerjes së energjisë elektrike.

“Problemet midis palëve duket se janë të paevitueshme tërësisht edhe në varësi të kompleksitetit jo vetëm gjatë ndërtimit, por edhe ndërvarësisë gjatë operimit nga faktorë të jashtëm siç janë ato lidhur me variacionet atmosferike, evolucioni i tregut të energjisë, e kështu me radhë”, -shton ai. Gjithashtu, eksperti rendit edhe disa prej rreziqeve që paraqesin kontratat koncesionare,  duke theksuar se analiza paraprake e riskut të projektit është thelbësore.

“Përmbledhur, rreziqet që shkojnë përtej mundësive të parashikueshme dhe në dëm te investitorëve, mund të grupohen në tri kategori: pamundësia për të përfunduar projektin (p.sh. vështirësitë në gjetjen e financave në varësi të ndryshimit të situatës ekonomike ose perceptimit të klimës së biznesit); ndryshimet gjatë operimit (p.sh. në flukset natyrore vjetore, ndërhyrjet në rrjedhën e sipërme të pellgut lumor etj.); ndryshimet në politikat publike dhe rregullatore (p.sh lidhur me kushtet themelore të marrëveshjes, metodologjitë e tarifave të reja, trajtimi i disbalancave, bllokimi i tregut nëpërmjet kontratave preferenciale midis kompanive publike, shtrembërimi i mekanizmave të tregut, etj.).”,-thotë ai, duke shtuar se kjo analizë paraprake  e riskut duhet të shërbejë për të marrë një vendim mbi llojin e kontratës që do të duhet të zbatohet në strukturën e partneritetit për të siguruar dhe menaxhuar rreziqet e projektit në mënyrën më efikase.

Investitorët nuk vijnë nga ndryshimet e shpeshta ligjore

Ndërkaq, edhe për përfaqësuesen e investitorëve, duket se orientimi drejt kontratave BOO,  është një shqetësim i vogël në krahasim me problemet që ata hasin në terren.

“Shoqata jonë ka bërë disa hulumtime mbi klimën e të bërit biznes në Shqipëri, në drejtim të sektorit energjetik dhe aty del e qartë që ndryshimi i vazhdueshëm i legjislacionit është një arsye shumë e fortë që investitorët nuk vijnë në Shqipëri. Pra, problemi kryesor në Shqipëri ka qenë paqëndrueshmëria ligjore. Dinamika e ndryshimeve është shumë e madhe dhe në këtë mënyrë investitorët ndjehen të pasigurtë dhe kjo është një gjë që duhet të ndryshohet. Qeveria duhet të krijojë një fushë më të qetë, përshembull nëse një projekt nis me një paltformë ligjore të caktuar, ajo duhet ta shoqërojë përgjatë gjithë kontratës së koncesionit apo jetëgjatësisë së këtij projekti dhe ndryshimet që do të ndodhin, duhet të ndodhin për të përmirësuar dhe jo për të përkeqësuar kushtet. Kjo është një logjikë zhvillimi, sipas platformave dhe direktivave ndërkombëtare dhe nëse ne nuk do të kemi ndryshime vendimesh apo strategjish brenda 1, 2 apo 5 vitesh, ne do të kemi më shumë investitorë të huaj dhe vendas”, -shprehet Shushku.

Edhe sipas Gordanit, fakti i ndjekjes brenda një kohe shumë të shkurtër të masave të reja rregullatore lidhur me liberalizimin e tregut ka krijuar një klimë “pasigurie” apo stepje, veçanërisht për investitorët tradicionalë të bazuar vetëm në aktivitetin e prodhimit. “Megjithatë, veçoria kryesore e përbashkët e PPP-ve të çdo modeli qofshin, përfshirë kontratat e koncesionit ROT, BOT, BOOT, bazohet në një marrëveshje ku rreziqet shpërndahen midis palëve sipas parimit qe ato duhet t’i caktohen atij që mund t’i menaxhojnë më mirë dhe me kosto më të ulët”,-thotë eksperti. Sikurse Shushku, edhe Gordani thekson se “promovimi më i mirë për investimet e reja fillon me ruajtjen e atyre ekzistuese”. “Çdo rishikim eventual do të duhet të arrihet në marrëveshje me palët e interesuara për të siguruar vazhdimësinë e suksesshme të projekteve. Për këtë, thelbësore është ekspertiza e mirëfillte për të asistuar me plotësimet që dalin të nevojshme nga praktika, bazuar në modelet më të mira evropiane në fushën e koncesioneve dhe partneritetit publik-privat”,-thotë Gordani.  Kohët e fundit, Banka Botërore ka përfshirë për herë të parë edhe Shqipërinë në raportin e saj “Standardet dhe Rregullat e Prokurimeve të PPP-ve 2017“. Sipas raportit, Shqipëria merr një vlerësim më të lartë në fazën e përgatitjes së projekteve dhe menaxhimit të propozimeve të pakërkuara. Që do të thotë se çfarë kërkohet nga investitorët është përmbushur relativisht kënaqshëm. Ndërsa menaxhimi i projektit, në këtë raport, merr vlerësimet më të ulëta (vetëm 55 nga 100 pikë), fakt që bën të domosdoshëm  të punuarin me autoritetet publike për të përmirësuar më tej edhe këtë proces”, -përfundon ai.

Most Read Publications

Most Visit Section

4,369,515 total views, 3 views today

Lini një Përgjigje

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: