Domosdoshmëria e Menaxhimit të Rreziqeve në Koncesionet Hidroenergjetike

Domosdoshmëria e Menaxhimit të Rreziqeve në Koncesionet Hidroenergjetike

Analizë nga Dr. Lorenc Gordani

Revista Monitor, 16/03/2018

Këshilltar Ligjor për Çështjet e Energjisë

për herë të parë por mbi të gjitha është për herë të parë edhe

Foto gjatë punimeve të konferencës vjetore të Shoqatës Shqiptare të Energjive të Rinovueshme (AREA) në Hotel Rogner, 1 Mars 2018

Problemet e menaxhimit të investimeve hidroelektrike

Në Shqipëri, praktikat ligjore të bashkëpunimit me sipërmarrjen private për të mundësuar vënien në eficiencë të burimeve natyrore janë kontraktuar për më shumë se 100 vjet! Përkundër periudhës së gjatë, të kësaj forme të rëndësishme bashkëpunimi për ekonominë, duket se në praktikë nuk kanë munguar problemet. Kjo është mbajtur në konsideratë në lidhje me përshtatjen në vazhdimësi të kuadrit ligjor të përdorur për vënien në shfrytëzim të kapaciteteve të reja të gjenerimit të energjisë elektrike nga veprat hidroenergjetike. Megjithatë, problemet midis palëve duket se janë të pashmangshme tërësisht edhe në varësi të kompleksitetit jo vetëm gjatë ndërtimit, por edhe ndërvarësisë gjatë operimit nga faktorë të jashtëm, siç janë ata lidhur me variacionet atmosferike, evolucioni i tregut të energjisë e kështu me radhë.

Prospektiva e rritjes së kërkesës dhe nevoja për zhvillimin e veprave të reja energjetike

Në përputhje me zgjerimin e vazhdueshëm të ekonomisë shqiptare, kërkesa për energji elektrike është dashur vazhdimisht të ballafaqohet me pamjaftueshmërinë e prodhimit të saj nga burimet kombëtare. Që nga viti 1999, me fare pak përjashtime, vendi ka regjistruar një deficit të theksuar në mbulimin e kërkesës për energji elektrike, duke u shndërruar në një importues të madh neto nga vendet e rajonit. Sa këtu është reflektuar në kosto të larta financiare, që kanë vënë në vështirësi sistemin elektroenergjetik shqiptar dhe financat e buxhetit të shtetit.

Për më shumë, lidhur me të ardhmen deri në vitin 2030, kërkesa për energji elektrike bazuar në skenarin bazë të ERE-s me një normë rritjeje prej 1.5%, apo studimin rajonal “SLED EJL 2016” deri në 3%, parashikohet të kalojë nga 7.1 TWh respektivisht në 10.8 deri në 13 TWh. Një rritje që e bën të domosdoshme ndërtimin e centraleve të reja gjeneruese. Ky kontribut pritet të vijë nga burimet me kosto më të ulët (LCOE).

Në këtë kuadër, pjesën kryesore me siguri do ta përbëjnë ato hidroelektrike, duke përfituar prej një potenciali me fluks mesatar 1,245 m³/s, nga një lartësi mesatare prej 700 m me përmbi 40 miliardë m³ ujë në vit. Faktorë që kanë shtyrë dhe do të vazhdojnë të tërheqin shumë kompani vendase dhe të huaja me reputacion të lartë ndërkombëtar, të interesuara për të investuar në sektorin hidroenergjetik.

Rëndësia ekonomike dhe modelet e ofruara në promovimin e sektorit hidroenergjetik

Zhvillimet e viteve të fundit kanë treguar se partneritetet në koncesione infrastrukturore përbëjnë një komponent të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare. Për vitin 2016, investimet e huaja arritën në rreth 1 miliard euro, duke stimuluar rritjen deri në 3.4%. Pjesa më e madhe e stokut të investimeve të huaja, në përmbi 70% është fokusuar në energji (përfshirë naftën dhe gazin). Investimet në hidroenergjetikë kanë arritur 1 miliard dollarë përgjatë 15 viteve të fundit. Një injektim financiar i rëndësishëm me një rritje në terma real prej pothuajse 10% vetëm në vitin 2017.

Modeli i përdorur më së shumti është ai Koncesioneve/PPP, që ofrohet në pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor, me qëllim “për të tërhequr” kapitalin privat. Një model i rekomanduar, nga institucionet financiare ndërkombëtare (IFI’s) që asistojnë sektorin, për shkak të mungesës së zhvillimit të tregut të këtyre vendeve në krahasim me pjesën tjetër të BE-së.

Kjo përcaktohet edhe nga mungesa e hapësirës fiskale shtesë për të bërë investime në sektorin energjetik dhe veçanërisht atë të gjenerimit. Por mbi të gjitha, është parësore për të zvogëluar pjesëmarrjen e sektorit publik, në mënyrë që të nxitet procesi i liberalizimit. Për këtë, çdo qeveri do të vazhdojë edhe më tej të inkurajojë investitorët, veçanërisht me kapital të huaj, për të hyrë në sektorin e prodhimit të energjisë.

Reforma, një mundësi e “artë” për të përmirësuar menaxhimin e koncesioneve/PPP

Nisur nga problemet e verifikuara midis palëve, reforma si fjala kryesore e programit ekonomik të qeverisë është e mirëpritur veçanërisht në lidhje me rritjen e investimeve të huaja. Reformë që tashmë është në fazën përgatitore të ndërhyrjes në sektorin e energjisë nga përmirësimi i procedurave administrative për kompanitë (modeli one-stop shop) tek derregullimi i furnizimit të energjisë. Një qasje e konsideruar esenciale për zhvillimin e partneriteteve dhe në veçanti, krijimin e një sistemi të sigurt dhe mjedisi të qëndrueshëm për investimet hidroelektrike.

Perspektiva e re e ofruar nga liberalizimi dhe integrimi në tregun e energjisë

Pavarësisht zhvillimeve të teknologjive të reja, përdorimi i fuqisë ujore, nga e cila njerëzimi ka përfituar ndër shekuj, pritet të mbetet forma më ekonomike e prodhimit të energjisë (sipas sa sjellë nga studimi SLED në rastin më ambicioz me një dyfishim të kapacitetit të instaluar deri në vitin 2030).

Në këtë spektër, vlerësohet se kuadri ligjor i sektorit të energjisë rishikuar së fundmi, ai i ri i energjive të rinovueshme, si dhe përshtatja e rregullave për PPP-të, favorizojnë ndërtimin e veprave të mëdha. Përveç të tjerave, kjo kontribuon edhe në mbështetjen e adresimit të shqetësimeve klimatike globale, ku vendi është pjesëmarrës me Marrëveshjen e Parisit. Por, mbi të gjitha, është gjithashtu në përputhje me shqetësimet e ambientalistëve për të shmangur mbingarkesën në shfrytëzimin e burimeve të vogla ujore, në interes të komuniteteve lokale.

Në të njëjtën kohë, ndjekja e projekteve mbështetur edhe në analizën e skenarëve të tregut, siguron qëndrueshmëri më të madhe, duke pasur parasysh se periudhat më të thata shoqërohen me çmime më të larta të energjisë në treg, dhe ato me ulje të temperaturës me një konsum më të madh të energjisë elektrike. Ndërsa kompanitë prodhuese mund të përfitojnë nga menaxhimi dhe operimi në një sërë drejtimesh shtesë si tregu spot i energjisë, shërbimet ndihmëse, furnizimi direkt, etj. Perspektiv që faktikisht po çon në lançimin së afërmi për herë të parë edhe në fushën e energjisë të disa projekteve me “vulën” e marrë nga ligji i investimeve strategjike.

Analiza e identifikimit të riskut në partneritetet hidroelektrike

Nga ana tjetër, fakti i ndjekjes brenda një kohe shumë të shkurtër të masave të reja rregullatore lidhur me liberalizimin e tregut, ka krijuar një klimë “pasigurie” apo stepje, veçanërisht për investitorët tradicional të bazuar vetëm në aktivitetin e prodhimit. Megjithatë, veçoria kryesore e përbashkët e PPP-ve të çdo modeli qofshin, përfshirë kontratat e koncesionit ROT, BOT, BOOT, bazohet në një marrëveshje ku rreziqet shpërndahen midis palëve sipas parimit që ato duhet t’i caktohen atij, që mund t’i menaxhojnë më mirë dhe me kosto më të ulët.

Përmbledhur, rreziqet që shkojnë përtej mundësive të parashikueshme dhe në dëm të investitorëve, mund të grupohen në tre kategori: pamundësia për të përfunduar projektin (p.sh. vështirësitë në gjetjen e financave në varësi të ndryshimit të situatës ekonomike ose perceptimit të klimës së biznesit); ndryshimet gjatë operimit (p.sh. në flukset natyrore vjetore, ndërhyrjet në rrjedhën e sipërme të pellgut lumor etj.); ndryshimet në politikat publike dhe rregullatore (p.sh. lidhur me kushtet themelore të marrëveshjes, metodologjitë e tarifave të reja, trajtimi i disbalancave, bllokimi i tregut nëpërmjet kontratave preferenciale midis kompanive publike, shtrembërimi i mekanizmave të tregut, etj.).

Për sa më sipër, analiza paraprake e riskut të projektit është thelbësore për të strukturuar transaksionin e secilit partneritet. Një analizë që duhet të shërbejë për të marrë një vendim mbi llojin e kontratës që do të duhet të zbatohet në strukturën e partneritetit për të siguruar dhe për të menaxhuar rreziqet e projektit në mënyrën më efikase. Kontrata që përkthehen në ligj në marrëdhëniet midis palëve, duke u respektuar ose duke u modifikuar ekskluzivisht me pëlqimin e plotë të tyre, për tërë kohëzgjatjen e partneritetit.

Rekomandime për menaxhimin e investimeve ekzistuese në hidroenergjetikë

Kohët e fundit, Banka Botërore ka përfshirë për herë të parë edhe Shqipërinë në raportin e saj “Standardet dhe Rregullat e Prokurimeve të PPP-ve 2017”. Sipas raportit, Shqipëria merr një vlerësim më të lartë në fazën e përgatitjes së projekteve dhe menaxhimit të propozimeve të pakërkuara. Që do të thotë se çfarë kërkohet nga investitorët është përmbushur relativisht kënaqshëm. Ndërsa menaxhimi i projektit, në këtë raport, merr vlerësimet më të ulëta (vetëm 55 nga 100 pikë), fakt që bën të domosdoshëm të punuarin me autoritetet publike për të përmirësuar më tej edhe këtë proces.

Në përfundim, pavarësisht nga debati mbi përdorimin e burimeve hidroelektrike, qeveria shqiptare ka konfirmuar gatishmërinë për të ecur përpara me ndërtimin e tyre. Në këtë kuadër, gjykohet se promovimi më i mirë për investimet e reja fillon me ruajtjen e atyre ekzistuese. Sidoqoftë, çdo rishikim eventual do të duhet të arrihet në marrëveshje me palët e interesuara, për të siguruar vazhdimësinë e suksesshme të projekteve. Për këtë, thelbësore është ekspertiza e mirëfilltë për të asistuar me plotësimet që dalin të nevojshme nga praktika, bazuar në modelet më të mira evropiane në fushën e koncesioneve dhe PPP-ve.

Kjo analizë është publikuar për herë të parë në versionin print dhe online të Revistës Monitor. Për më tepër, mbi prezantimin e mbajtur nga Dr. Lorenc Gordani, mund të gjeni në formë të slide-ve apo pdf-së, paraqitur në Konferencën Vjetore të Shoqatës Shqiptare të Energjisë së Rinovueshme (AREA) në Hotel Rogner, 1 mars 2018

Shënim: Mendimet e këtu më sipër shprehur i përkasin autorit të tyre. Ndërsa të gjitha përpjekjet janë bërë për të siguruar saktësinë e tyre, sa këtu nuk ka për qëllim të ofrojë këshilla ligjore, pasi që situatat individuale mund të ndryshojnë dhe duhet të diskutohen me një ekspert. Për çdo këshillë specifike teknike ose ligjore, mbi informacionin e ofruar dhe tema të ngjashme, mund të kontaktoni përmes “lorenc_gordani@albaniaenergy.org”.

Most Read Publications

Most Visit Section

2,147,483,647 total views, 1 views today

Lini një Përgjigje

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Audio material

Këtë e pëlqejnë %d blogues: