Tryezë diskutimi me përfaqësues të Këshillit Bashkiak dhe ekspertë të fushës

Home / Aktivitet / Tryezë diskutimi me përfaqësues të Këshillit Bashkiak dhe ekspertë të fushës

Tryezë diskutimi me përfaqësues të Bashkisë Tiranë, Këshillit Bashkiak dhe ekspertë të fushës, Tiranë, 1 dhjetor 2017

U zhvillua ditën e premte takimi me temë “Efiçenca energjetike në qytetin  e Tiranës” me përfaqësues të Bashkisë Tiranë, Këshillit Bashkiak, si dhe ekspertë të fushës. Pjesëmarrësit u njohën me të dhënat paraprake të studimit të realizuar nga EcoAlbania dhe Qendra EDEN mbi “varfërinë energjetike” dhe performancën e energjisë në qytetin e Tiranës, si dhe u bënë pjesë e diskutimit mbi mënyrat e interpretimit të këtyre të dhënave dhe hapave konkret që mund të ndërmerren për të adresuar problematikat e ngritura.

Përfaqësues të Këshillit Bashkiak shprehën interesin për të marrë informacion më të detajuar mbi studimin si dhe shprehën angazhimin për të ndërmarrë politika për lehtësimin e taksave të ndërtuesve që do të sjellin ndërtime më efiçente nga ana energjetike si dhe paraqitjen e problematikave të evidentuara nga studimi e më pas hapjen e diskutimeve me Bashkinë Tiranë në drejtim të përmirësimit të situatës.

Gjergji Simaku, Drejtor në Drejtorinë e Politikave dhe Strategjisë së Zhvillimit të Energjisë dhe Industrisë, pranë Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, u ndal në hapat që do të ndërmerren nga qeverisja në nivel qendror për të arritur standardet për efiçencën e energjisë në sektorin e ndërtesave dhe transportit. Ai vuri theksin në krijimin e “Agjencisë për Efiçencën e Energjisë”, një departament i ri brenda kësaj ministrie.

Përmes përgatitjes së audituesëve të energjisë, qeverisja qendrore parashikon krijimin e një regjistri kombëtar mbi efiçencën energjetike në ndërtesa. “Pasi të kryhet auditimi i ndërtesave, këto të fundit do të pajisen me çeritifikatën e energjisë dhe do të pasqyrohen në këtë regjistër.” – u shpreh Z. Simaku.

Nga ana tjetër, Z. Erjon Tase, Drejtor Ekzekutiv i Akademisë së Studimeve Politike, u ndal në problematikat dhe vështirësitë e këtij procesi. “Fondet, vonesa në koordinimin dhe zbatimin e planeve kombëtare, vonesa në kooordinim për përdorimin e investimeve të huaja dhe mungesa e stafit të përgatitur për të punuar mbi këto tematika, janë disa nga vështirësitë që Shqipëria përballet në përmbushjen e objektivave kombëtare për efiçencën e energjisë.” – tha ai.

Abaz Hodo, Nën-kryetar i Bashkisë Tiranë, ndau me pjesëmarrësit iniciativat e ndërmarra nga bashkia për ndriçimin e gjithë territorit të qytetit të Tiranës me llamba efiçente LED si dhe nismën për transportin publik përmes autobusëve apo taksive elektrike.

Ky takim organizohet nga EcoAlbania në kuadër të projektit “Së bashku – një sy për mjedisin” dhe mundësohet financiarisht nga Ambasada Suedeze nëpërmjet programit SENiOR-II i zbatuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit – REC Shqipëri.

Nga Ita Angoni

Shënim: Autorësia dhe opinionet e sa me sipër shprehur i përkasin autorit të tyre. Ndërsa të gjitha përpjekjet janë bërë për të siguruar saktësinë e tyre, sa këtu nuk ka për qëllim të ofrojë këshilla ligjore, pasi situatat individuale mund të ndryshojnë dhe duhet të diskutohen me një ekspert. Për çdo këshillë specifike teknike ose ligjore, mbi informacionin e ofruar dhe tema të ngjashme, mund të kontaktoni përmes “lorenc.gordani@euroelektra.al”.

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: